‘The New York Post’: Ç’kemi, Albanian!

Edhe gjuha shqipe do të përfshihet në listën e gjuhëve që do të mësohen në shkollat e qytetit të New Yorkut. Shkolla “PS 105” në Morris Park, në Bronx, do të jetë shkolla e parë me programin udhëzues dygjuhësor shqip -anglisht.

Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Post” e ka shkruar me këtë shkas një artikull me titull “Ç’kemi, Albanian!”.

“Shkollat e qytetit të New Yorkut ofrojnë mësime në disa gjuhë, kurse prej të enjtes të javës që po e lëmë pas, gjuha shqipe i është shtuar kësaj liste, gjë që siç thanë zyrtarët – ndodh për herë të parë në SHBA.

Janë rreth 60,000 banorë me prejardhje shqiptare që jetojnë në shtetin e New Yorkut, më shumë se në çdo shtet tjetër amerikan, sipas një studimi të vitit 2015 të Qendrës së Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar. Më shumë se gjysma e tyre jetojnë në qytetin e New Yorkut, ndërsa enklavat më të mëdha janë të vendosura nëpër lagjet e Bronxit, si Pelham Parkway, Morris Park, Bedford Park dhe Belmont.

Shkolla ‘PS 105’ në Morris Park do të jetë shkolla e parë me programin udhëzues dygjuhësor shqip-anglisht.

Këshilltari i Bronxit, Mark Gjonaj, shqiptar i gjeneratës së dytë në SHBA, ka thënë se është krenar që ka punuar për realizimin e këtij programi”, shkruan “The New York Post”, transmeton Koha.net.

“Chalkbeat” raporton se Christopher Eustace, drejtor shumëvjeçar në “P.S. 105” në Bronx, ia doli të ndërtonte programin shqip të qytetit duke e menduar mirë zgjidhjen e problemit të mësimit të gjuhës angleze për shqiptarët. Disa vite më parë ai kishte vënë re se vazhdimisht e më shumë nxënës të shkollës së tij flisnin shqip. Dhe, kurdo që mundej, ai angazhonte mësues dhe staf zyrash që e flisnin gjuhën shqipe.

Dhe në fund, ai krijoi bazën për programin dygjuhësh, i përgatitur nga mësuesit që tashmë i kishte angazhuar si staf. “Ka të bëjë me kuptimin dhe rëndësisë së paralelisht me mësimin e anglishtes, ta ruajnë edhe gjuhën amtare”, tha ai. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë