Theresa May me lutje për BE-në që Brexiti të shtyhet për 3 muaj

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ia ka dërguar një letër udhëheqësve të Bashkimit Evropian, me të cilën ka kërkuar që vendit të saj t’i mundësohet qëndrimi në BE deri më 30 qershor.

Sipas afatit që është në fuqi, Britania e Madhe duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 12 prill, ndonëse marrëveshja e kryeministres për ndarje nga BE-ja nuk i ka marrë ende votat e mjaftueshme nga deputetët britanikë.

May ka propozuar që Britania e Madhe të largohet para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, të cilat mbahen më 23 maj, në rast se deputetët e votojnë marrëveshjen e saj para kësaj date. Sidoqoftë, ajo ka thënë se vendi i saj do të përgatitet për ta dorëzuar listën e kandidatëve për eurodeputetë në rast të dështimit të marrëveshjes para datës së zgjedhjeve.

Kryeministrja britanike i dërgoi letër presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, për ta kërkuar shtyrjen e datës së daljes së Britanisë nga BE-ja vetëm pak ditë para samitit të jashtëzakonshëm për këtë çështje, i cili do të mbahet të mërkurën e ardhshme.

thotë se nuk duhet të lejohet që bllokada aktuale të vazhdojë sepse ajo po krijon paqartësi dhe po e dëmton besimin e qytetarëve britanik ndaj politikës.

Në letrën e saj, May ka shtuar se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja duhet të përmbyllet shpejt në rast se marrëveshja pranohet nga shumica e deputetëve dhe se vendi i saj do t’i anulojë përgatitjet për zgjedhjet e Parlamentit Evropian nëse shteti ishullor largohet ligjërisht nga blloku para datës 23 maj, shkruan “BBC”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë