Kabineti i Haradinajt i përgjigjet BE-së për heqjen e taksës

Qeveria mbetet në qëndrimin e saj se taksa për mallrat nga Serbia e BeH, hiqet kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës. Ka reaguar këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, pas propozimit që e bëri Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn, që të hiqet taksa 100% nëse Kosova do që në CEFTA, të hiqet emërtimi “UNMIK” e të zëvendësohet me “Kosova*” me fusnotë.

“Taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh këtë entitet juridik- politik dhe pavarësinë e tij!”, ka shkruar Matoshi, në një reagim në Facebook.

Ai ka thënë se kosovarët janë europianë dhe nuk bëjnë kompromise me pavarësinë.

“Letra e Federica Mogherinit, që thërret Prishtinën zyrtare, për një pakt kompromisi, në thelb është edhe një ftesë për ma pak pavarësi karshi BE-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e shpallur të vendit tonë dhe kjo nuk është as ofertë për kompromis edhe pse në Kosovë askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të bëjë kompromis me 17 shkurtin. Me sovranitetin dhe terësinë tokësore të saj”, ka shtuar ai.

Ndërkohë edhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi ka konfirmuar se Qeveria e ka pranuar letrën në fjalë për të cilën kryeminsitri do t’i kthejë përgjigjje këtë të hënë.

Lidhur me këtë temë, Donjeta Gashi nga zyra për media e kryeministrit Haradinaj, e kontaktuar  nga Koha.net, ka thënë se “Nuk komentojmë letrën as përmbajtjen e saj, megjithatë, Qeveria mbetet në qëndrimin e saj se taksa për mallrat nga Serbia e BeH, hiqet kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë