Florian Hahn nga CDU/CSU: Nëse palët pajtohen s’ka pse të refuzohet ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi

Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi. Hahn, në një intervistë për DW, ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen që zgjidhja mes tyre është edhe tek ndryshimi i kufijve, atëherë “bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë”.

“Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë për vendin e tyre, atëherë mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë”, ka thënë Hahn në këtë intervistë me DW.

Ai ka thënë se shteti i tij dëshiron që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit mes dy shteteve .

“Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje. Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet në vend”, ka thënë më tej ai. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë