Mali i Zi voton për pranimin e Maqedonisë Veriore në NATO

Parlamenti malazez miratoi të premten projekt-ligjin për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut mbi pranimin e Maqedonisë Veriore. 44 deputetët e pranishëm votuan për këtë projektligj.

Atë e mbështeten deputetët e Partisë Demokratike Socialiste, Partia Social Demokrate dhe partitë e pakicave në Malin e Zi.

Ministri i Jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviq, tha në parlament se deputetët morën një vendim historik, pasi Mali i Zi për herë të parë miraton pranimin e një vendi tjetër në NATO. Ai gjithashtu deklaroi se pranimi i Maqedonisë Veriore në NATO është një lajm i mirë për të gjithë rajonin dhe mënyra e vetme për të arritur progresin në Ballkanin perëndimor.

“Mbështetja për Maqedonisë është e lartë në axhendën e Malit të Zi. Si vend anëtar i NATO-s, Mali i Zi është një nxitës aktiv i zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s”, tha Darmanoviq, raporton VOA.

Hyrja e Maqedonisë Veriore në NATO u vlerësua si tejet e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e këtij vendi, por edhe për sigurinë e rajonit.

Ndërkaq, deputetët proserbë të Frontit Demokratik nuk e mbështetën protokollin mbi pranimin e Maqedonisë Veriore në NATO.

Kjo parti e quajti terrorist Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, i cili ishte i pranishëm në seancën e sotme. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë