Mjeshtri i shahut arrin suksese kulmore falë mashtrimit
Në gjashtë vjetët e fundit, mjeshtri i shahut me prejardhje letonezo-çeke, Igors Rausis dukej i pamposhtur, dhe kjo bëri që bota e shahut të merrej me të, apo thënë me drejtë, me gjenialitetin e pamposhtshmërisë së tij ndër vite.
Mjeshtri i madh i shahut, Rausis shënonte fitore pas fitoreje, ndërsa rejtingu e tij në shah rritej vazhdimisht, derisa arriti në afro 200 pikë. Ai u bë më i vjetri që arriti të futej në “top 100” të renditjes botërore, duke arritur në pozitën e 53-të këtë muaj.
Lawrence Trent, një mjeshtër ndërkombëtar anglez, e quajti këtë arritje joreale, ndërsa mjeshtri i madh rus Andrey Deviatkin e quajti impresive, shkruan Koha Ditore.
Sipas “Chess.com”, rritja meteorike e Rausis ishte kryesisht falë rezultateve perfekte, apo gati perfekte, në përballje ndaj kundërshtarëve më poshtë të renditur. Por tash Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE) ka njoftuar se ka një shpjegim tjetër prapa kësaj ngritjeje: mashtrimi.
Emil Sutovsky, drejtor i përgjithshëm i FIDE-s, ka postuar në Facebook lajmin se Rausis është kapur duke mashtruar gjatë një turneu në Strasbourg të Francës së fundi. Kështu është konfirmuar dyshimi i gjatë në lidhje me shahistin letonezo-çek. Kështu si duket “mjeshtri i madh i shahut” ka mashtruar në mënyra të ngjashme në ҫdo turne ku ka marrë pjesë, me ҫrast ka arritur rezultate kulmore. Por siҫ thonë “gënjeshtra e mashtrimi i kanë këmbët e shkurta” – kështu që s’ka mbetur pa zbuluar edhe ky lloj mashtrimi.
Rausis ishte ish-kampion i Letonisë, ndërsa ka përfaqësuar gjatë viteve edhe Bangladeshin e Çekinë. /©Kabllogrami/