Nuk e bënë hesap SHBA-në: Erdogan thotë se sistemi raketor rus S-400 do të arrijë në Turqi në korrik

Marrëveshja e Ankarasë me Moskën ka futur në tensione Turqinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se kjo e fundit thotë se sistemi i mbrojtjes S-400 është kërcënim ndaj avionëve të saj F-35. SHBA po ashtu ka paralajmëruar Turqinë për sanksione të mundshme nëse nuk tërhiqet nga marrëveshja me Rusinë.

Turqia do të pranojë sistemin raketor të mbrojtjes S-400 nga Rusia në fillim të korrikut, ka bërë të ditur presidenti Recep Tayyip Erdogan të dielën, duke injoruar totalisht kërkesën e SHBA-ve.

“Besoj se sistemi raketor S-400 do të fillojë të arrijë në pjesën e parë të korrikut”, ka thënë Erdogan, raporton shërbimi turk i agjencisë CNN.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Brendshëm në SHBA, Patrick Shanahan, këtë muaj theksoi se Turqia do të përjashtohet nga programi i avionëve F-35 nëse fillon me blerjen e sistemit raketor nga Rusia.

Erdogan kishte thënë se do të diskutojë për këtë çështje me presidentin Donald Trump në Samitin G-20 që pritet të mbahet këtë muaj, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, duke mos iu trembur fare syri, tha se Ankaraja do t’ju kundërpërgjigjet sanksioneve të mundshme nga Uashingtoni. A është ky indikator se Turqia po hidhet përfundimisht në gjirin e Rusisë me të cilën kohët e fundit ka trashur bashkëpunimin duke irituar tej mase aleatët perëndimor të NATO-s. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë