Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit

Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit, por faza finale, miratimi me dy të tretat e votave pёr ndryshimet kushtetuese pritet tё bëhet në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit, raporton Kabllogrami

Amendamenti për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut” u miratua me 67 vota, 18 ishin kundër, ndërsa tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës abstenuan. Abstenimi i tyre duket se ka shqetësuar pushtetin.

Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës, ku shtohet dhe Marrëveshja e Ohrit, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov tha se mund të ketë hapsirë për ndryshime të tjera, duke lënë të kuptohet se mund të zënë vend kërkesat e opozitës, por pas një debati publik dhe vlerësimeve të ekspertëve. Opozita shqiptare kërkon që në preambulë të përmendet edhe populli shqiptar. Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët tha se këmbëngulë që shteti në Preambulë të përcaktohet si shtet multietnik.

Këto ndryshime vijnë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës të arritur më 17 qershor midis qeverive të Shkupit dhe Athinës për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve më se 25 vjeçe rreth emrit Maqedoni. Por, ndryshimet kushtetuese në Republikën e Maqedonisë do të mund tё zbatohen vetëm pasi edhe parlamenti grek ta miratojë Marrëveshjen e Prespës.

Në atë rast, Shkupi do të bënte hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian. VoA /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë