Komisioni Evropian përsërit çdo vit rekomandimet e njëjta për Kosovën

Ka vite që një numër i konsiderueshëm rekomandimesh, përsëriten në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian (KE), për Kosovën, shkruan në një artikull të saj Radio Evropa e Lirë, përcjell Kabllogrami.

Ngjashëm me disa prej raporteve të kaluara, edhe këtë vit, Raporti i Vendit për Kosovën, i këtij institucioni të Bashkimit Evropian (BE), ndër të tjera, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit, ekonominë joformale e ngecjen në reformën zgjedhore.

Në shumicën e këtyre fushave, sipas raportit, është shënuar përparim i vogël. Ndërsa, shumë prej rekomandimeve, për secilin nga institucionet përgjegjëse, mbesin të paadresuara.

Përsëritja e rekomandimeve, për shkak të mosadresimit të tyre nga institucionet, sipas shoqërisë civile, është shqetësuese dhe tregon mungesë serioziteti e përkushtimi.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Radion Evropa e Lirë, se përfaqësuesit shtetërorë “duhet t’i marrin me shumë seriozitet kërkesat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian”, pasi, sipas tij, “pa adresimin e tyre, nuk mund të ketë lëvizje përpara në proceset integruese”.

“Gjuha (e raportit) vazhdon të mbetet e njëjtë, ku drejtësia vuan nga ndikimi i politikës. Ne kemi pa në rezolutën e nëntorit të Parlamentit Evropian, që Kosova është një shtet i kapur, ku korrupsioni është i përhapur në të gjitha institucionet. Prapë gjuha sa i përket korrupsionit, është e njëjtë në Raportin e Vendit, prandaj asgjë të mos i befasojë udhëheqësit institucionalë. Mirëpo, duhet ta kuptojnë një gjë, pa adresimin e këtyre kërkesave që ka Bashkimi Evropian, ne nuk mund të ecim përpara, as në procesin teknik të vizave, mirëpo as në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, e kjo i bie aplikimi për statusin e vendit kandidat”, thotë Kryeziu.

Këtë artikull mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtu – në linkun e Radio Evropa e Lirë

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë