Peru e mposht Kilin në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës, në finale e pret Brazili /video/

Kombëtarja e Kilit shpresonte për ta fituar për herë të tretë radhazi titullin e kampionit të Kupës së Amerikës, por ato shpresa u shuan pas disfatës befasuese me rezultat 3:0 nga kombëtarja e Perusë. Në finale Perunë e pret Brazili që mposhti Argjentinën ditë më parë në gjysmëfinalen tjetër me rezultat 2:0, raporton Kabllogrami.

Dy golat e pjesës së parë dhe një gol i tretë afër fundit të ndeshjes e çuan Perunë në finale të Kupës së Amerikës, duke e mposhtur në gjysmëfinale Kilin.

Dy golat e shënuara në pjesën e parë nga Edison Flores dhe Yoshimar Yotun, bashkë me golin e vonshëm të Paolo Guerreros, ia thyen ëndrrat Kilit për ta barazuar rekordin e Argjentinës me tri tituj të këtij kampionati radhazi. Peru u kualifikua në finale për të parën herë që nga viti 1975.

Edhe pse ata e arritën fazën eliminatore si njëra ndër dy skuadrat më të mira të radhitura në pozitën e tretë, Peruja e Ricardo Garecas ishte superiore gjatë kampionatit dhe tani do të përballet me Brazilin në finalen në Maracana të dielën.

Turpërimi i Kilit u kompletua kur Eduardo Vargas e humbi penalltinë, pasi e goditi topin drejt te portieri i Perusë, Pedro Gallese, vetëm disa momente para fundit të ndeshjes.

Një fillim i furishëm bëri që edhe Christian Cueva e edhe Charles Aranguiz të kenë shumë mundësi të mira për të shënuar, por Peruja e ndëshkoi mbrojtjen e paorganizuar të Kilit në minutën e 20-të, përmes Floresit.

Gabriel Arias ishte fajtor për golin e dytë të Perusë, 18 minuta më vonë, të shënuar në stilin “vollej” nga Yotun.

Peruja e humbi Floresin shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës pesë minuta më vonë dhe kjo ndikoi që Kili të tentojë të kthehet në lojë. Megjithatë, ata nuk arritën të shënojnë gol dhe Peruja ia dha Kilit edhe goditjen e fundit afër fundit të ndeshjes. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë