Rusia e Ukraina rinisin pёrleshjet, ka tё plagosur, BE fton pёr pёrmbajtje

Marina ukrainase ka njoftuar sonte se forcat detare ruse konfiskuan tri anije luftarake të Ukrainës në kalimin Kerç, transmeton Kabllogrami.

“Anijet e vogla të artilerisë ‘Berdyansk’ dhe ‘Nikopol’ u goditën nga zjarri i armikut. Anija ‘Jana Kapu’ u detyrua të ndalonte. Të tre anijet u kapën nga forcat ruse. Ka gjithashtu informacion rreth dy marinarëve të plagosur ukrainas,” thuhet në njoftim.

Me herët anija e Rojës Bregdetare ruse goditi një anije detare ukrainase pranë Krimesë dhe dëmtoi motorët e saj. Po ashtu, forcat ruse shkrepën një raketë ndaj anijeve ukrainase, të cilët u kundërpërgjigjen me zjarr.

Incidenti ndodhi sot kur dy anije luftarake detare dhe një rimorkiator i Ukrainës kaluan nga Odesa në Detin e Zi në Mariupol në Detin Azov, përmes kalimit Kerç, një kalim të ngushtë midis Krimesë dhe Rusisë kontinentale.

Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të së drejtës ndërkombëtare pasi rojet kufitare ruse u përpoqën pa sukses të ndalonin anijet e Marinës së Ukrainës që lundronin rreth Krimesë në rrugën e tyre në portin ukrainas të Mariupol, që është në Detin Azov, transmeton Kabllogrami raportimet e Agjencive botërore të lajmeve.

Shërbimi rus Federal i Sigurisë (FSB) njoftoi sot se anijet ukrainase shkelën ujërat territoriale ruse që ishin mbyllur përkohësisht, njoftuan agjencitë ruse. Rusia pretendon mbi të drejtën mbi ujërat në Krime që nga bashkimi me dhunë i atij gadishulli në vitin 2014.

Ukraina fajёson Rusinë për bllokimin e qëllimshëm tё porteve tё saj dhe të lundrimit të anijeve tregtare përgjatë kalimit Kerç, rruga e vetme detare midis Detit të Zi dhe Detit Azov, në mënyrë që të përgatisë një ofensivë në Marijupol, qyteti i fundit më i madh nën kontrollin e Kievit në lindje të Ukrainës.

Ka reaguar edhe Bashkimi Evropian pёrmes Maja Kocijançiqit, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini, duke bёrё thirrje pёr qetёsi dhe pёrmbajtje për të qetësuar situatën në Detin e Zi. Ajo tha se Rusia duhet të “rivendosë lirinë e kalimit” te ngushtica e Kerçit, të cilin Moska e bllokoi sot gjatë ditës. /©kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë