Shefi i NATO-s: Duhet të jemi të përgatitur për një botë me më shumë raketa ruse

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se koha për të shpëtuar një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve me Rusinë po kalon.

“Kjo është serioze. Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme ka qenë i rëndësishëm për kontrollin e armëve për dekada të tëra dhe tani po shohim vdekjen e tij”, tha Stoltenberg në një intervistë për BBC-në.

“Duhet të jemi të përgatitur për një botë me më shumë raketa ruse”, shtoi ai.

Traktati i vitit 1987, i nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, ka ndaluar raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në muajin shkurt, SHBA-ja e pezulloi pjesëmarrjen në këtë traktat, duke e akuzuar Rusinë për zhvillimin e një sistemi raketor që e shkel atë.

Rusia i mohoi akuzat, por po ashtu e pezulloi pjesëmarrjen në traktat dhe njoftoi se ka plane për zhvillimin e sistemeve të reja të armëve.

Stoltenberg premtoi një përgjigje “të matur dhe mbrojtëse”, nëse Rusia nuk i kthehet zbatimit të traktatit deri në afatin e 2 gushtit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë