Eurozona do të ndalë së printuari kartëmonedhat 500-euroshe, apo prerjet në ngjyrë violetë që sipas autoriteteve janë mjeti më i përdorur nga kriminelët, teksa shumica e 19 vendeve që i janë bashkuar monedhës së përbashkët pritet ta zbatojnë nga muaji i ardhshëm.
“Më 27 janar të 2019-s, 17 nga 19 Bankat Qendrore kombëtare në zonën e Euros nuk do të lëshojnë më kartëmonedha 500-euroshe”, njoftoi Banka Qendrore Europiane në faqen e saj të internetit, transmeton tch.
Gjithsesi, Austria dhe Gjermania do të vazhdojnë të printojnë kartëmonedha të tilla deri më 26 prill, “në mënyrë që të garantohet një tranzicion i lehtë, por edhe për shkaqe logjistike”, shkruhej më tej në njoftimin e BQE-së.
Kartëmonedhat 500-euroshe në qarkullim, gjithsesi do të mbeten të ligjshme dhe do të mund të përdoren për të kryer pagesa.
Banka Qendrore Europiane njoftoi në maj të vitit 2016 se do të ndalte së prodhuari kartëmonedhat 500-euroshe, duke thënë asokohe se pritej ta bënte këtë gjë rreth fundit të vitit 2018, për shkak të “shqetësimeve se këto monedha lehtësojnë aktivitetet e paligjshme”. /©Kabllogrami/