Bieber: Pas shpinës së Gjermanisë po zhvillohen bisedime të fshehta për lëvizjen e kufijve të Kosovës

Njohësi i shquar i Evropës Jug-lindore dhe Ballkanit, profesori universitar Florian Bieber, njëherësh bashkërendues i Grupit për Këshill Politik Evropian (BIEPAG), mendon se lidhur me Kosovën, jashtë skenës publike, prapa dyerve të mbyllura po bisedohet për ndryshimin e kufijve, për çka ekziston edhe përkrahja e disa vendeve perëndimore.

Për profesorin universitar, problemi më i madh është se po krijohet përshtypja sikur Gjermania është jashtë këtyre zhvillimeve, por thotë se “nuk e di ndonjë rast nëse diku ndonjëherë kanë ndodhur bisedime, ku s’ka  qenë e përfshirë  Gjermania, e të cilat kanë mundur të sjellin ndonjë sukses apo një rezultat pozitiv”.

Sipas Bieber, deklaratat e fundit të presidentit Thaçi për një korrigjim të lehtë të kufijve dhe përmendja e Rusisë nga ai, flasin në favor të tezës për “bisedime të fshehta”. Në anën tjetër ai paralajmëron se “ndryshimi i kufijve është një opsion i rrezikshëm, i cili më shumë hap probleme, sesa mbyll probleme”.

“Nuk e zgjidh as problemin e serbëve që do të mbesin të jetojnë në Kosovë, pas shkëmbimit të territoreve”, tha Bieber, për “FoNet”. Ai dyshon në gatishmërinë e Beogradit dhe Prishtinës për ta zgjidhur këtë problem.

“Nuk e kam fituar përshtypjen se në Beograd dhe në Prishtinë duan të zgjidhin këtë çështje. Beogradi, për shkak të BE-së, vetëm flet për një zgjidhje. Në të njëjtën kohë, për ta [udhëheqësit serbë] do të ishte ideale të mos gjejnë zgjidhje dhe për këtë të fajësojnë palën kosovare”, tha Bieber, i cili problemin tek pala kosovare e sheh tek mospajtimet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

Sipas tij, “Thaçi po i dërgon mesazhe Perëndimit se si ai po bën gjithçka që ta zgjidh problemin, duke u përpjekur të sigurojë përkrahjen që të mbetet në pushtet dhe të mos jetë i akuzuar për disa gjëra që i ka bërë në të kaluarën”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë