Dogana identifikikon 5 raste të riambalazhimit të mallrave serbe në Maqedoni
Që nga vendosja e taksës ka pasur dyshime se produktet serbe janë dërguar në Maqedoni, ku janë ri-ambalazhuar dhe vendi i origjinës iu është shkruar në Maqedoni.
Në Doganën e Kosovës kanë treguar se deri tani janë identifikuar vetëm 5 raste të dyshimta të tilla, e që janë produkte ushqimore. Si rrjedhojë, është kërkuar nga Dogana e shtetit fqinj verifikimi i vendit të origjinës.
Kosova ende nuk ka arritur ta vërtetojë me siguri të plotë nëse produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po shiten në tregun vendor, duke ua ndërruar vendin e origjinës.
Importi nga Maqedonia gjatë tre muajve të masës mbrojtëse ka qenë 24 milionë euro ose 2 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Gjatë tre muajve të fundit që kur është vënë taksë ndaj produkteve serbe në Kosovë, janë importuar vetëm rreth 670 mijë euro mallra kryesisht lëndë e parë e prodhimit, që janë rreth 140 milionë euro më pak import nga Serbia se sa vitin e kaluar. /©Kabllogrami/