Don Lush Gjergji: Vlerat e Krishtlindjes i takojnë Nënës Terezë dhe Skënderbeut
Sot në Katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë, është mbajtur mesha për ditën e Krishtlindjes. Aty u tha se duhet dëgjuar fjala e Zotit, pasi është fjalë jete, dashurie, falje, afrimi dhe bashkimi me Zotin dhe me njëri-tjetrin.
Kjo meshë u udhëhoq nga vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji. Mesha filloi me leximin e pjesës së ungjillit sipas Xhonit. Në këtë meshë morën pjesë shumë besimtarë. Gjergji tha se kjo ditë është dita kur përkujtohet ardhja e Jezus Krishtit.
“Jemi këtu së bashku për të kremtuar festën e madhe të Kërshëndellave, ardhjen e zotit tonë Jezus Krishtit. Jemi këtu për ta falënderuar Zotin për të gjitha të mirat që na ka dhuruar. Jemi këtu për ta falënderuar Zotin për këtë vazhdimësi 2 mijë vjeçare me shumë batica dhe zbatica. Jemi këtu për të kërkuar bekime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Zoti vazhdimisht komunikon me njerëzit dhe komunikimi i tij është dashuria. Zoti ka krijuar sepse Zoti do. Njeriu si duket nuk e kuptoi gjuhën e Zotit dhe dashurisë dhe u mashtrua nga e keqja dhe lakmia dhe si i tillë ra në robërinë e djallit”, tha Gjergji, raporton EO.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, ka bërë thirrje për paqe duke u lutur për gjithë njerëzit nga të gjitha besimet.
“Ungjilli thotë se drita erdhi në ditë të mëshirshme, por dikujt i pengon drita, edhe pse drita është e natyrshme për sy. Kjo histori përsëritet edhe sot. Sa njerëz kanë nevojë për Zotin, kanë nevojë për jetë dhe falje, kanë nevojë për pajtim”, tha Gjergji.
Aty Don Lush Gjergji tha se vlerat e kësaj feste i takojnë dy njerëzve të mëdhenj si Nëna Terezë dhe Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
“Nëna Terezë në çdo shenjë njerëzore njohu njeriun, vëllaun dhe motrën dhe mbi të gjitha Jezusin. Zoti është urimi, Zoti është i jetës dhe dashurisë. Në festën e kërshëndellave i urojmë vlerat e mirëfillta që i kanë pas gjyshërit tonë. Ti kthehemi vlerave dhe virtyteve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Historia jonë është e shkruar me djersë mund e gjak dhe këtë histori Zoti e pranoi dhe e pëlqeu”, tha Don Lush Gjergji.
Në fund Don Lush Gjergji si dhe të gjithë besimtarët e besimit katolik të cilët sot ishin bërë bashkë për kremten e festës së Krishtlindjes, u lutën duke thirrur në paqe. /©Kabllogrami/