Hendboll: Danezët kampion bote në finalen skandinave

Përfaqësuesja e Danimarkës është kampion bote, pasi në finalen e zhvilluar në Herning /Danimarkë/, mposhti kombëtaren e Norvegjisë me rezultat të thellë 31- 22, për të siguruar kështu titullin e parë të botës në historikun e vet, transmeton Kabllogrami.

Danimarka e ka mbyllur kampionatin botëror me dhjetë fitore nga po aq ndeshje, duke treguar performancë dominuese në tërë kampionatin. Edhe këtë ndeshje finale Danimarka e dominoi nga fillimi. Hansen me 7 gola ishte më efikasi te Danimarka, ndërsa Joendal shënoi 8 gola për Norvegjinë.

Ndërkohë kombëtarja e Francës fitoi medaljen e bronzit pasi që në sfidën për vendin e tretë mposhti Gjermaninë me një finish dramatik, me rezultat 26-25. Pjesa e parë u mbyll në të mirë të Gjermanisë me rezultat 13-9, ndërsa në vazhdim Franca riktheu lojën dhe arriti që të shënojë fitore krejt në fund të takimit, falë një goli të Karabatiq në sekondën e fundit të takimit. Kentin Mae u dallua tek Franca me 7 gola nga 8 tentimet, ndërsa realizim të njëjtë kishte edhe Uve Gens’Hajmer i Gjermanisë.

Dje në ndeshjen për vendin e pestë, kombëtarja tjetër skandinave, Suedia mposhti Kroacinë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë