Krahasimi mes Nolit e Esat pashës në Lidhjen e Kombeve

Nga Jakup Krasniqi: Si perfaqësoheshin shqiptarët në Lidhjen e Kombeve

Ia vlen që të shohim, se çka të tjerët thoshin në Lidhjen e Kombeve dhe jashtë saj për Nolin e Madh e çka për Toptanin e vogël. Qe te dy ishin në Paris në vitin 1919.

E gjithë veprimtaria e Nolit ka qenë për Shqipërinë. Largimi nga Qyteza siç e quanin shqiptarët Ibrik-Tepen, në të cilën nuk u kthye kurrë më, është bërë për Shqipërinë, edhe pse në Shqipëri prej 83 viteve të jetës i kaloi vetëm pesë. Është shumë interesant, porosia e Gjerd Kapedanit në momentin kur Noli po e lente Qytezën, ai e porositi: “Mos qëndro gjatë në Athinë. Prej aty shko në Shqipëri. Atje është mëmëdheu ynë i vjetër…” Nuk po shkruaj së është shkruar e folur pak për kontributin e Nolit për demokracinë shqiptare, por pse në momente të tilla përkujtimesh jubilare, personalitetet e tilla meritojnë të kujtohen e të përkujtohen për çdo anë të veprimtarisë dhe në secilën ka lënë një stampim të pashlyeshëm. Sigurisht që Noli dhe asnjë personalitet në histori nuk ka nevojë për hyjnizime qiellore, se hyjnizimi të shkëputë nga realja, nga tokësorja dhe tek e fundit ai ishte njeri me vetit njerëzore dhe vepra dhe idealet e tija ishin njerëzore dhe për njeriun e Shqipërisë.

Noli ishte njeri edhe me hezitime, edhe i guximshëm edhe i ndrojtshëm, edhe i vendosur edhe i tërhequr, por të gjitha anët e veprimtarisë së tij edhe pse të shpërndara në shumë prroje të rrëmbyeshëm. Të cilët po të analizohen me kujdes nga burimi ishin të kthjelltë, kanë rrjedhur në një drejtim, ndonjëherë edhe prajshëm, por kanë rrjedhur pandalshëm dhe janë bashkuar në një Lum që ka ushqyer shume pore të jetës në Shqipëri. Ajo veprimtari shumëdimensionale, ajo thellësi e mendimit dhe e interpretimit, mënyra e komunikimit dhe zgjuarsia për ta thënë fjalën e duhur në vendin e duhur, edhe sot gati pas 100 viteve na bënë të ndihemi mirë. Sigurisht qe kemi edhe raste që edhe pas 100 viteve nuk ndjehemi mirë dhe këto gjëra është momenti që duhet t’i themi. Se vetëm duke i ngritur, duke i kujtuar e rikujtuar vlerat njerëzore në një anë, e duke i damkosur veprimet e shëmtuara të akëcilit njeri, ne mund të ecim më shëndetshëm përpara. Këtë duhet të bëjmë me qëllimin më të mirë, që mos të na përsëritet historia e tradhtive të mëdha. Kalimi i viteve apo i shekujve apo “zbulime” e “reja” arkivore, nuk duhet të na bëjnë dhe as guxojnë të na bëjnë që ta mëshirojmë tradhtinë e cilitdo personalitet të historisë, siç ka bërë kohën e fundit Ilir Ikonomi në veprën e shkruar për Esat Pashë Toptanin.

Nuk mundet në asnjë mënyrë, historia e vdekur e dokumenteve te pluhurosura të na i fshin nga kujtesa e gjallë e kombit, të asnjë figure historike, të bërat apo të pabërat e tyre. Ketë dobësi te shqiptarëve, për të falë shpejtë e lehtësisht tradhtinë, si mëkatin më të natyrshëm, si mëkatin që rëndon pak , e kishte vërejtur Falmerajeri. Kështu siç veprojnë disa publicistë tek ne, me kulmet e tradhtisë kombëtare (Zogolli – Toptani), nuk ndodhë në asnjë vend te Botës se qytetëruar. Prandaj asnjë vend dhe asnjë popull i qytetëruar nuk gjendet në pozicionin që kemi ne shqiptarët, ndonëse pretendojmë të jemi nëna e kombeve te Botës?!

Në këtë rast dua t’i përballojë dy përfaqësime të nivelit të lartë të shqiptarëve në nivelin ndërkombëtar. Njëri ishte, përfaqësimi i Esat Pashë Toptani në Konferencën e Paqes në Paris dhe tjetri, përfaqësimi nga Fan S. Noli në Lidhjen e Kombeve. Si na prezantuan ata dhe si u pa prezantimi i tyre nga të tjerët dhe ç’u tha në gazeta e ç’thuhet sot në Libra për ta. Sipas kronologjisë duhet t’ia fillojmë me Esat Pashë Toptanin që nuk e dimë çka tha, pasi ai e përfaqësonte vetëm veten, por e dimë çka u tha nga të tjerët për te. Një portretizim mjaft interesant Esat Pashait ia bën avokati i Avni Rustemit, De Monze, i cili tha:

“Pashai ishte pa dyshim më 2 gusht 1914 mik i Italisë dhe i Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, madje edhe i Rusisë, pra i gjithë sllaveve. Vetëm një vend nuk e gëzonte miqësinë e tij dhe ky ishte vendi i tij. Çudia është pse ne, francezët, e zgjodhëm si zëdhënës të Shqipërisë, si trashëgimtar të Skënderbeut” .

Ndërsa Miss Durhami, në librin e saj :”Historia e Esat Pashës”, shkruan: “Ky njeri injorant dhe pa skrupuj, një relikë e kohës së errët të Turqisë së vjetër, jetonte në luks, në një kryeqytet të huaj. Në Paris pritej si monark i rrëzuar. Kush ia paguante apartamentin në Hotelin Kontinental, një vilë e një shtëpi në Avenue Marceau, me shumë shërbëtorë, tri makina, kuaj?… Shqiptarët duan ta qeverisin vetë vendin. Ata dëbuan italianët nga Vlora. Ata nuk kanë pranuar asnjëherë copëtimin. I vetmi njeri që ishte gati ta bënte nuk është më” .

Po ashtu edhe Margaret MaCmillan, në librin e saj: “Parisi 1919”, do të shkruaj: “Historia e shkurtër e Shqipërisë kishte qenë e tmerrshme. Liderët e tribuve, banditët, lujalistët Turk, Grekë, Serbë dhe agjentët Italianë të gjithë vazhduan ndikimin e tyre kundër qeverisë të dobët. Në këtë vorbull një figurë spikati: mizori dhe mashtruesi Esat Pashë Toptani. Thuhej se, megjithëse ai nuk fliste asnjë gjuhë Evropiane siç duhet, ai njihte vlerën e parasë në secilën prej tyre” .

Dhe vërtetë nuk kishte si të mos ishte e tmerrshme dhe fatkeqe historia e popullit tonë, me njerëzit e klanit te Esat Pash Toptanëve. Mendim të përafërt për Esad Toptanin, kishte edhe Mit’hat Frashëri i cili thotë se Esat Toptani “kishte takime të fshehta me agjentët italianë Castoldi, Gali dhe Lodi, dhe ishte gati të nderonte kamp, të linte Serbinë për Italinë dhe këtu nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme aq më tepër mbasi urrejtja për Qeverinë e Tiranës, urrejtje që italianët dhe Esadi e kishin në të njajtën masë, e bënin bashkëpunimin e tyre të natyrshëm” .

I njëjti personalitet, pas kthimit të Zogut me ndihmën e Pashiqit në pushtet, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me të.
Është fatbardhësi që jo pak herë, në Kuvende të mëdha botërore, populli ynë ka pasur përfaqësime dinjitoze që na bëjnë të krenohemi e të ndjehemi mirë edhe sot e kësaj dite. Një rast i tillë ka qenë, kur Shqipëria e shqiptarët u përfaqësuan në Lidhjen e Kombeve me mendjendriturin, Fan Nolin i cili mbi dy dekada ishte përgatitur për një përfaqësim të tillë të suksesshëm. Për Nolin u thanë fjalët më miradije nga Drejtësues e përfaqësues të Lidhjes së Kombeve, u thanë e u shkruan fjalë të vlerësimit të larta edhe në shtypin e kohës. Në mënyrë të veçantë rrezatoi mbi ballkanasit tjerë, të cilët s’kishin si mos të ndiheshin inferior e të lenë pas dore, për faktin se Noli arriti t’i dominoj në të gjitha fushat e jetës: si politikan, si diplomat, si orator e intelektual me edukatë e kulturë të lartë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë