Limaj thotë se serbët s’janë gati për një marrëveshje përfundimtare

Fatmir Limaj, që së fundi ka marrë rolin e bashkëdrejtuesit në dialogun e Kosovës me Serbinë ka thënë se “Nëse dialogu nuk ka për epilog njohjen e Kosovës nga Serbia, nuk kemi pse të bisedojmë”.

Sipas tij, njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, është pasojë e mungesës së njohjes nga Serbia ose të një marrëveshje të paqes mes këtyre dy vendeve.

Ai ka thënë se edhe sinjali që ka marrë Ekipi negociator nga takimi që kishte me Mogherinin në Bruksel, ishte se edhe ata janë të interesuar që dialogu mes dy vendeve të mbyllet me normalizimin e marrëdhënieve.

Në një paraqitje në emisionin Rubikon të KTV-së, Limaj ka qenë kritik me atë që ka gjeneruar dialogu deri tani.

“Për shkak të dështimit të këtij dialogu që është bërë për shtatë vite, ne po hyjmë në këtë fazë të dialogut, pasi që përgjatë këtyre viteve ne nuk kemi parë normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Limaj mes tjerash.

Sipas tij, politika serbe nuk po dëshiron që të arrijë marrëveshje me Kosovën. Ata në diskursin e tyre politik thonë sikur ne nuk jemi të gatshëm për marrëveshje.

“Ka mungesë vullneti nga pala serbe, nuk po shohim vullnet, nuk mendoj që janë të gatshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare”.

Limaj bëri të ditur se gjatë takimit në Bruksel kanë kërkuar edhe një afat kohor se kur mund të arrihet marrëveshja.

“Nëse këtu dikush humb, humb dyfish Serbia meqë s’mund të ketë perspektivë evropiane. Ne këtë porosi e përçuam në Bruksel, se po, jemi të gatshëm për dialog dhe për marrëveshje që përfundimisht i mbyll çështjet e hapura me Serbinë”, ka thënë ai.

Tutje Limaj ka folur edhe për çështjet e të pagjeturve.

“Është hajgare se çfarë ka bërë Serbia në raport me çështjen e të pagjeturve. Ne e kemi ditur, dhe e kemi konfirmuar se Serbia i ka dosjet për secilin vendndodhje të masakrave në Kosovë”, ka thënë ai.

Limaj premton se njëra prej temave në dialogun me Serbinë në Bruksel do të jetë edhe reciprociteti i plotë.

“Çfarë të drejtash të kenë serbët në Kosovë, le të kenë edhe shqiptarët në Serbi”, ka thënë Limaj. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë