Mbyllja e qeverisë më e gjata në historinë e SHBA-së, shkaku i murit me Meksikën

Mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë sot të hënën në ditën e saj të 24-të, duke u bërë më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me mijëra punonjës që punojnë për qeverinë e SHBA-së kanë mbetur pa i marrë pagat e tyre, derisa me ligj janë të obliguar që përditë të paraqiten në punë dhe të kryejnë detyrat e zakonshme.

Mbyllja u shkaktua nga kërkesa e Presidentit Donald Trump për miliarda dollarë për të ndërtuar një mur mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, një lëvizje që është refuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump e quajti situatën në kufirin jugor “një pushtim” por shtoi më pas se nuk do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme për momentin si mënyrë për të siguruar fonde për murin dhe për të rihapur qeverinë, raporton Zëri i Amerikës.

Në komentet e tij të fundit mbi përplasjen me demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me kërkesën për mbi 5 miliardë dollarë në fonde fillestare për një barrierë të përhershme në kufi, presidenti tha se do të preferonte që Kongresi të votonte dhe të autorizonte fondet.

Pjesë të qeverisë amerikane u mbyllën më 22 dhjetor pasi buxheti skadoi, ndërsa zoti Trump dhe Kongresi debatonin lidhur me kërkesën e Presidentit për fondet për ndërtimin e murit.

Mbyllja ka goditur afro një të katërtën e qeverisë federale, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe atë të Shtetit. Rreth 800 mijë punonjës të qeverisë nuk po paguhen dhe ata që po punojnë nuk e marrin rrogën deri kur të rihapet qeveria. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë