Oda Ekonomike Amerikane: Korrupsioni në Kosovë po largon investitorët e huaj

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me transparencën në rënie dhe angazhimin e ulët të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera shtetërore në luftimin e korrupsionit, njofton Kabllogrami

Në reagimin e saj oda amerikane thotë se një studim që ka bërë për perceptimin e korrupsionit ka gjetur se mbi 75% e bizneseve besojnë se korrupsioni në Kosovë është sistemor, derisa faktorët që mundësojnë korrupsionin janë sundimi i dobët i ligjit dhe mungesa e vullnetit politik.

Mbi 50% e bizneseve të anketuara besojnë se niveli i korrupsionit ka mbetur i njëjtë krahasuar me pesë vjet më parë.

“Arritja e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve përgjegjëse për heqjen e një njolle që vazhdon të pasqyrojë vendin në raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare e vendore. Raportimet e tilla pa dyshim se zvogëlojnë mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndërsa viti 2018 sjell shifra shqetësuese në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e Odës Amerikane.

Gjithashtu edhe Ambasadori i ri i ShBA-sё nё Kosovё, Philip Kosnett sot gjatё ditёs ka deklaruar se “Nuk mund të presim që të tjerët ta luftojnë korrupsionin në emër të Kosovës” dhe se “nuk mund të pritet nga të korruptuarit të heqin dorë nga veprimet e tyre, pa u përballur me ligjin”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë