Kosova e Bosnja flasin për taksën, por s’bëhet fjalë për heqjen e saj

Në kohën kur Kosovës i janë shtuar presionet ndërkombëtare për të hequr dorë nga taksa 100%, Bosnjë e Hercegovina, nëpërmjet Ministrit të Tregtisë, ka dalë me një deklaratë se Kosova ka pranuar të negociojë mundësinë e heqjes së saj.

Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike i BeH, Mirko Sharoviq, ka thënë se pala kosovare, me kërkesë të Bosnjë e Hercegovinës, ka pranuar negociata bilaterale për shfuqizimin e vendimit për vendosjen e taksës 100 përqind në mallrat nga ky shtet, raporton KTV.

“Nuk mund ta parashohim rrjedhën, por është me rëndësi se ia kemi dalë të hapim negociatat në nivel ekspertësh. Në vend se të aplikojmë kundërmasa, që askujt nuk do t’u shërbenin, kemi krijuar kushte që problemet të zgjidhen në nivel profesional, meqë qëllim ynë parësor është të mbrojmë bizneset vendore të cilat gjatë muajve të fundit nuk mund të eksportojnë në përputhje me rregullat e tregtisë së lirë dhe që të pengojmë dëmet”, ka thënë Mirko Sharoviq, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike.

Por, këto deklarime i ka mohuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se një takim mes zyrtarëve të të dyja vendeve pritet të ndodhë në pjesën e dytë të janarit, por që Kosova nuk do ta negociojë taksën.

“Bosnjë e Hercegovina ka bërë kërkesë në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s që të takohen me palën kosovare për t’i adresuar çështjet dhe shqetësimet e saj lidhur me këtë taksë. Normal që Kosova do t’i përgjigjet kësaj kërkese dhe pritet një takim i tillë të ndodhë në pjesën e fundit të janarit. Por, që nuk bëhet fjalë për kurrfarë negociatash. Qeveria është e vendosur sa i përket çështjes dhe qëndrimi i saj mbetet i njëjtë sa i përket taksës”, ka thënë Gashi, raporton KTV.

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, qeveria vendosi masa mbrojtëse ndaj importit të të gjitha prodhimeve që vinin nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Deri më tani, konsiderohet se Bosnjë e Hercegovina është dëmtuar së paku për 4,5 milionë dollarë, si pasojë e kësaj takse. Ndërsa, Serbia konsiderohet se ka pësuar një humbje prej 34.6 milionë eurosh. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë