Pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump që ia bëri Turqisë lidhur me kurdët sirianë, ka reaguar menjëherë Ankaraja zyrtare. “Turqia nuk është e frikësuar nga kërcënimet ekonomike amerikane në lidhje me qëndrimin ndaj milicisë kurde siriane”, deklaroi sot ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu, bën të ditur Kabllogrami.
Çavushoglu ka shtuar tutje se vendi i tij nuk ishte në kundërshtim të idesë së një zone sigurie në Siri, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
“Ne (…) nuk frikësohemi nga asnjë kërcënim. Kërcënimet ekonomike nuk do të sjellin asgjë”, deklaroi Mevlut Çavushoglu duke reaguar ndaj kërcënimeve të Donald Trump për shkatërrim të ekonomisë turke nëse Ankaraja sulmonte milicinë kurde siriane, aleate e Uashingtonit, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.
Megjithatë, ai theksoi nga ana tjetër se “Turqia është pro një zone të sigurisë mes kufirit të saj dhe pozicioneve të luftëtarëve kurdë”. /©Kabllogrami/