Kampionati botëror në hendboll ka mësuar finalistët, ku finalja do të jetë krejt skandinave, pasi Norvegjia dhe Danimarka kanë fituar në gjysmëfinalet e tyre, bën të ditur Kabllogrami.
Norvegjia ka siguruar një vend në finalen e madhe të kampionatit botëror të hendbollit, pasi mposhtën Gjermaninë vendase me rezultat 31-25, në takimin e zhvilluar të premten mbrëma në Hamburg me fillim në ora 20:30. Skandinavët fituan me meritë, pas një beteje të madhe.
Për titullin e më të mirit në botë, në Herning, të dielën do të luftojnë me Danimarkën, e cila mposhti Francën 38-30 në ndeshjen që u zhvillua poashtu të premten në termin më të hershëm prej orës 17:30.
Ndeshja finale luhet të dielën me fillim në ora 17:30 në Herning të Danimarkës.
Të shtunën /sot/ për vend të shtatë takohen Spanja dhe Egjipti (17:30), kurse për vend të pestë luajnë Kroacia e Suedia (20:30).
Ndeshja për vendin e tretë dhe medaljen e bronztë zhvillohet të dielën nga ora 14:30 ku Franca dhe Gjermania luajnë mes vete.
Është ky botërori i 26-të me radhë i hendbollit, që është zhvilluar në dy vende – në Gjermani e Danimarkë. /©Kabllogrami/