Slobodan Petroviq akuza Serbisë për kërcënim e frikësim

Politikani serb i Kosovës, Slobodan Petroviq, ka akuzuar Serbinë për përdorimin e organeve të sigurimit shtetëror për të frikësuar rivalët, si ai vetë, që janë kundër një grupimi kriminal të formalizuar si parti e serbëve të Kosovës të quajtur “Lista Serbe” e që mbështetet nga Vuçiqi.

Në tri raste në dhjetor dhe janar, Petroviq, i cili udhëheq Partinë Liberale Serbe, SLS, dhe dy kolegët e partisë u ndaluan dhe u morën në pyetje nga ata që Petroviq tha se ishin oficerë të agjencisë serbe të sigurisë “BIA” në kalimin kufitar të Merdarë midis Serbisë dhe Kosovës.

Petroviq u ndalua më 8 dhjetor, zëvendëskryetari i tij i partisë dhe zëvendësministri i Rinisë dhe Sporteve Boban Stankoviq u ndalua më 2 janar, ndërsa më 10 janar e njëjta gjë ndodhi me Nebojsha Jakovleviq, anëtar i Partisë së Pavarur Liberale dhe këshilltar i lartë në Ministrinë e Kosovës Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Të tre u liruan pas disa orësh intervistim.

“Në të tri rastet, procedura ishte plotësisht identike”, tha Petroviq në një intervistë për BIRN.

“Nuk më vjen keq që shërbimet (e sigurisë) bëjnë punën e tyre, por gjithashtu pres ndonjë shpjegim përse po e bëjnë këtë dhe kush i urdhëroi ata të keqtrajtojnë njerëzit”, tha ai.

“Secili prej nesh është i gatshëm t’i përgjigjet çdo thirrjeje nga policia, zyrës së prokurorisë dhe gjykatës nëse ata kanë nevojë për këtë”, shtoi Petroviq.

BIRN i shkroi Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe BIA-s për të kërkuar një përgjigje, por nuk mori asnjë përgjigje.

Partia e Pavarur Liberale e Petroviq ka vetëm një deputet në parlamentin e Kosovës, por shihet si rivali kryesor “Listës Serbe”.

Lista Serbe ka 9 deputetë në parlament (të cilët i fitoi me vjedhje votash, kërcënim e frikësim të serbëve lokal), por ka bojkotuar mbledhjet e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj që nga marsi 2018, kur drejtuesi “provokator i pagdhendur” i të ashtuquajturës ‘zyrë e Kosovës’ në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq u arrestua nga policia e Kosovës në qytetin verior të Mitrovicës.

Megjithatë, Lista Serbe nuk ka hequr dorë nga benefitet e posteve të kabinetit, të cilat përfshijnë tre ministra dhe një zëvendës kryeministër. Ekzistojnë spekulime në Kosovë dhe Serbi se ministrat serbë të Listës Serbe mund të shkarkohen, duke i zëvëndësuar ata me kandidatët e Partisë së Pavarur Liberale.

I pyetur nëse partia e tij ishte e gatshme të merrte postet e listës serbe, Petroviq tha se nuk do ta bënte këtë “me çdo kusht”.

Petroviq përshkroi gjendjen e dhjetëra mijëra serbëve në Kosovë si “të vështirë dhe të pasigurt” dhe për këtë fajësoi direkt Beogradin.

“Beogradi, si kurrë më parë, na ka ndarë midis atyre që mendojnë njëjtë dhe atyre që mendojnë ndryshe. Për shembull, ata që mendojnë ndryshe nga Lista Serbe janë tradhtarë, madje edhe qytetarë të klasit të dytë”, tha ai.

I pyetur nëse kjo mund të nënkuptojë pranimin e pavarësisë, Petroviq u përgjigj: “Kjo është pyetje për Vuçiqin”. /Marrë nga BIRN me shkurtime/©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë