Analizë e EuroNews-it: Maqedonia e Veriut mund të ketë një emër, por a ka identitet kombëtar?

EuroNews: Nga Simone Benazzo, Marco Carlone, Martina Napolitano

Këtë javë parlamenti në Athinë ratifikoi të ashtuquajturën “Marrëveshja e Prespës” duke i dhënë fund konfrontimit diplomatik 27-vjeçar të Greqisë me fqinjin e saj verior, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM). Që tani e tutje, emri zyrtar i këtij të fundit do të jetë “Republika e Maqedonisë Veriore”. Athina është zotuar të mos vërë veton ndaj kërkesës së Shkupit për anëtarësim në NATO dhe BE, siç është bërë vazhdimisht pasi që ish republika jugosllave fitoi pavarësinë në vitin 1991.

Protestat e shpeshta në rrugë kundër marrëveshjes që kanë shpërthyer në Maqedoninë e Veriut gjatë dy viteve të fundit ia kanë shtuar vëmendjen komunitetin ndërkombëtar se identiteti kombëtar i ish republikës jugosllave ende nuk ka një përkufizim gjithëpërfshirës dhe të pranuar. Sipas regjistrimit të fundit, përveç shumicës së maqedonasve (64.2%), shqiptarët përbëjnë një minoritet të konsiderueshëm (25.2%), së bashku me romët (zyrtarisht 2.7% dhe ndoshta mbi 10% në realitet), turqit (3.9% dhe serbëve (1.8%). Grupet e vogla etnike, të tilla si Aromenianët, Boshnjakët dhe Bullgarët, kompletojnë pamjen e fragmentuar demografike të këtij vendi pa dalje në det.

Që nga pavarësia e saj, Maqedonia e Veriut ka kërkuar të projektojë një identitet kombëtar të qartë dhe të njohur. Përpjekja më e diskutueshme për të krijuar këtë identitet u zhvillua gjatë dy mandateve të pushtetit të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Në vitin 2010 udhëheqësi konservator nisi një projekt të quajtur “Shkupi 2014” – i njohur gjerësisht si “antikvizacija” (antikizim, i cili i referohet politikës së identitetit bazuar në supozimin se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis maqedonasve të sotëm etnikë dhe maqedonasve të lashtë). Dhjetëra statuja të heronjve dhe filozofëve helenë u hapën në qendër të kryeqytetit, duke përfshirë një statujë të tmerrshme të kalit të Aleksandrit të Madh. Ky operacion, madje e nxiti gazetën ‘The Guardian’ të Britanisë së Madhe për t’ia dhënë Shkupit epitetin me titull “kryeqyteti i ri të kiçit të Evropës”. Qeveria (e Gruevskit) u përpoq të argumentojë se luftëtari i famshëm (Aleksandri i Madh v.j) që pushtoi Perandorinë Persiane në shekullin e 4 para Krishtit ishte paraardhësi i tyre, pavarësisht që këta maqedonas kanë origjinë sllave të lidhur ngushtë me gjuhën dhe kulturën bullgare. Politika e identitetit të qeverisë e përkeqësoi konfliktin me Athinën, duke shtyrë zgjidhjen e “çështjes së emrit” larg tavolinës së bisedimeve gjatë mandatit të Gruevskit.

Koalicioni i tanishëm i qeverisë i udhëhequr nga Zoran Zaev ndryshoi politikën e jashtme izoluese të ndjekur nga paraardhësi i tij. Rivendosja e ambicjeve perëndimore të Shkupit ka qenë në qendër të përpjekjeve diplomatike të Zaev që nga emërimi i tij në maj 2017. Disa muaj më vonë, ai nënshkroi një traktat miqësie me Bullgarinë, duke nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve të Ballkanit. Ai gjithashtu arriti të merrte mbështetjen e përzemërt të elitave të BE dhe të përmirësonte imazhin e Shkupit në skenën ndërkombëtare.

Duke siguruar marrëveshjen historike me Athinën, Zaev dhe aleatët e tij tani kanë premtuar të krijojnë një sistem shtetëror të punës të bazuar në sundimin e ligjit dhe ekonominë e tregut, ndonëse kritikët pretendojnë se qeverisë i mungon vullneti dhe mjetet për të shtyrë përpara këtë rregullim ambicioz.

Janë duke u bërë përpjekje për të lidhur bashkësitë fetare dhe etnike të Maqedonisë së Veriut, siç është miratimi i fundit i një ligji për të dhënë statusin e gjuhës zyrtare – gjuhës shqipe në mbarë vendin. Por dështimi për të arritur madje afër pragut prej 50% në referendumin e shtatorit sugjeron se vetë ndryshimi i emrit ka dështuar të mbledhë vendin pas një qëllimi të përbashkët.

(Ky artikull u korrektua /u azhurnua/ më 29/01/2019 për të bërë të ditur se shqiptarët kanë fituar njohjen e statusit zyrtar në shkallë vendi /në mbarë vendin/ në Maqedoninë Veriore.)

Përktheu për gazetën online ‘Kabllogrami’ nga gjuha angleze Mentor Bogaj /©Kabllogrami/

Këtë shkrim në gjuhën angleze në web-faqen e euronews mund ta lexoni këtu

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë