Kush e mësoi Thaçin të përdorë gishtin e madh në publik?

Nga Ramazan Bekteshi, Alexandria, Virginia, USA

Shkruan: Ramazan Bekteshi

Miq të nderuar, në këtë foto të shkrepur para 19 vitesh /në vitin 2000/, janë ulur pranë njëri tjetrit dy presidentë të Kosovës, në kryeqytetin amerikan, njëri president atëherë, e tjetri tash, dy fytyra emblematike, njëra ikonografike e tjetra e sertë e luftarake, për momentin shumë konspirative dhe kontraverse. Janë të ulur dy presidentë, ku njëri me urti e duronte e tjetri e shantazhonte për së gjalli por tani i thurë elozhe te varri. Ata e mbajtën, respektivisht e mbajnë timonin e shtetit më të ri të Europës, njëri shkollar Sorbone e tjetri student i podrumeve, pa fajin e tij.

Janë ulur pranë njëri tjetrit, dy figura që deri në këto çaste kanë komunikuar pak, aspak, apo jo si do të deshironte Kosova. Njëri ateroi nga bota akademike, ngadalë, me mend e me durim, tjetri u shfaq më shpejtësi meteori, me furi, nën ushtimen e armëve dhe me pompozitet. Dy presidentë, që njëri konsumoi durimin e popullit e tjetri sakrificën sublime të Jasharajve, dy rrethana që dolën të ishin me fat!

Në këtë imazh shohim dy presidentë të ulur pranë njeri tjetrit, me inisiativen e shqiptaro-amerikanëve dhe miqve tanë, respektivisht Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në shënje pajtimi e bashkimi. Ata, i ulën pranë njëri tjetrit, njërin që Amerika e kishte trajtuar si burrështetas dhe më vonë do t’a nderonte me çmimin “Mik i madh i Amerikës” nga shteti i Pensilvanisë zyrtarisht, dhe tjetrin do t’a quante Nënkryetari Joe Biden, si “Washington-i i Kosovës”, por vetëm verbalisht.

Para jush qëndrojnë dy presidentë, njëri avokoi paqen, rezistencën pasive, durim per shkak të rrethanave dhe afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë, tjetri, protestën dhe rezistencën aktive që fatlumnisht më ndihmën e miqve tanë nderkombëtarë n’a dolën të dyja të qëlluara dhe me fat. Dy filozofi që e komplimentuan njera tjetrën dhe n’a sollën pavarësinë.

Të dy presidentët kanë një të kaluar të padëshirueshme, e njërit president si viktimë, ku janë kryer tre atentate dhe i janë vrarë shumë bashkëpunëtorë të ngushtë e partiakë, dhe e presidentit tjetër si i dyshuar për këto akte makabre por të pa faktuara.

Te dy presidentët trajtohen në mënyra të ndryshme nga të vetët dhe kundershtarët. Disa i trajtojnë si demonë e të tjerët si heronjë. Ata shpesh komplimentohen me epitete surreale për eksploatim të imazheve të tyre për përfitime politike nga bashkëpartiakët e tyre. Portretin e presidentit Rugova shpesh e krahasojnë me figura biblike dhe kuranore (dishepull, pejngamer) një shërbim i keq ndaj presidentit Rugova, sepse madhështia e veprës së tij flet vetvetiu. Padrejtësi i bëhen edhe presidentit Thaçi kur i shpifen pretendimet për transplantim të organeve si propagandë e porositur nga Serbia.

Para jush janë dy presidentë, njëri që u kritikua për javashllëk por që në të vërtetë kurrë nuk bëri një gabim të vetëm në dëm të Kosovës, por i siguroi Kosovës marreveshje të mira. Në anën tjetër qëndron presidenti tjetër që arriti shumë marrëveshje të këqija për Kosovën si ajo me Malin e Zi, Asociacionin dhe më fatalja, kur krye në vete kërkon korrigjim të kufijve, kështu duke degraduar planin e Ahtisarit dhe duke provokuar konflikte në dëm të shqiptarëve.

Po, përpara nesh janë dy imazhe diametralisht të kundërta presidentësh, e njërit që me zell e afirmoi çeshtjen kosovare dhe mori uraten dhe bekimin e Washington-it, dhe e presidentit tjetër që dëshiron të ndryshojë hartën gjeografike të Kosovës e njohur nderkombëtarisht nga mbi 100 vende më me ndikim dhe duke përbuzur vendimin e GJND-së, lakmon njohje nga Serbia, që s’na duhet sepse asaj i duhet BE-ja, poaq sa neve. Një president që lakmon hapjen e ambasadës së Kosovës në Moskë dhe vazhdimin e miqësisë me Vuçiqin, që fatmiresisht drenicakët e barrikaduan dhe ia bënë të pamundur udhëtimin. Pavarësisht se HTH vie nga ky rajon, Drenica si avangardë e çështjes kombëtare si shumë herë më parë gjatë historisë, qëndroi stoike dhe i tha jo pazarit te dyshimtë. /©Kabllogrami/

Autori është një veprimtar i shquar për mëse tri dekada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me lidhje të afërta në politikë-bërjen amerikane në nivelet më të larta, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në përgjithësi, sidomos për çështjen e Kosovës, që kulmoi me çlirimin dhe bërjen shtet të Kosovës me ndihmën vendimtare të SHBA-së.

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë