Veprimitari i shquar shqiptaro-amerikan Ramazan Bekteshi përmes një statusi në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ka shprehur falenderimin, admirimin dhe respektin për popullin dhe qeverinë e Japonisë, të cilët në momente të vështira për popullin tonë, na janë gjendur pranë.
Mbjelljen e qershisë japoneze (Sakura) pranë shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë, personalisht nga Ministrja Japoneze për Punë të Jashtme, Abe Toshiko, profesori Ramazan Bekteshi e ka çmuar si një simbolikë tejet domethënëse.
Ai me mirënjohje të thellë ka sjellë në kujtesë se “JICA (Agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar) i ka hapur zyrat në Prishtinë menjëherë pas lufte dhe në momente kur kishim aq shumë nevojë, JICA ishte prezente në shumë komuna të Kosovës me shumë projekte praktike dhe donacione për zhvillim”.
Profesor Bekteshi nga SHBA-të nuk harron t’i falenderohet popullit dhe qeverisë japoneze për ndihmat e sinqerta në kohë të vështira për popullin e Kosovës: “I jemi mirënjohës popullit japonez që e kishim krahë të fortë që nga fillimi”.
“Nje lajm i mirë nga Kosova pas aq shumë lajmeve dekurajuese!” ka përfundur postimin e tij veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi.
Përndryshe, mbjellja e drunjëve Sakura në Prishtinë, simbolizon miqësinë japonezo-kosovare, që përmes këtyre fidaneve synon të thellohet akoma më shumë.
Mbjellja e fidanëve japonezë është bërë pikërisht në ditën kur bëhen 10 vjet nga caktimi i marrëdhënieve diplomatike midis Japonisë dhe shtetit të Kosovës. Ndërkaq, në kryeqytet do të mbillen gjithsej 30 drunj të llojit “Cherry Blossom” (Sakura) , të cilët Japonia ia ka dhuruar Komunës së Prishtinës.
Ministrja e Jashtme e Japonisë, Toshiko Abe, kishte deklaruar se mbjellja e këtyre pemëve do të simbolizojë miqësinë në mes dy vendeve. Ajo ka theksuar se po i mbjellin rreth 30 trupa të qershisë japoneze, si shenjë nderimi për marrëdhëniet Kosovë-Japoni. /©Kabllogrami/