LDK-ja e quan të papranueshme kërkesën e BE-së që Trepça të përfshihet në dialog me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur të papranueshme kërkesën e Bashkimit Evropian që Trepça të përfshihet në dialogun me Serbinë.

Mustafa ka thënë se kjo është kërkesë absurde.

“Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Në postimin e tij, Mustafa ka thënë se vendit i duhet unitet dhe që njëzëri të kundërshtohet mundësia e dialogimit të sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Sipas tij, siç kanë nisur kërkesat, “një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa dialoguar me Serbinë”.

“Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit. Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë!” ka përfunduar ai. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë