Albini bёn tё ditur krimin e mashtrimin e madh: 14 arsye pse “Contour Global” s’punon për Kosovën e qytetarët por qytetarët e Kosovës punojnë për të

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paraqitur 14 arsye se pse sipas subjektit qё ai drejton, kompania amerikane “Contour Global”, nuk punon për Kosovën dhe qytetarët e saj, por anasjelltas, qytetarët e Kosovës punojnë për të.

“Të njëjtën ditë kur ia dyfishoi pagat qeverisë dhe kabinetit të vet, më 20 dhjetor 2017, Haradinaj nënshkroi edhe kontratën me Contour Globalin për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’. Sipas kësaj kontrate të dëmshme e të frikshme, nuk do të punojë Contour Global për Kosovën dhe qytetarët e saj, por ne do të punojmë për Contour Globalin”, ka shkruar Kurti, duke ia bashkuar edhe 14 arsyet, transmeton Koha.net.

1) Kostoja e ndërtimit u ngrit nga një miliard euro në 1.3 miliard euro, e kjo rritje do t’i faturohet popullit, madje me kamatë;

2) Shkalla e kthimit të brendshëm në kapital për Contour Globalin është garantuar në plot 18.5%, në kohën kur bankat paguajnë më pak se 1% interes në depozitat e qytetarëve;

3) Republika e Kosovës do t’ia paguajë Contour Globalit të gjitha shpenzimet, plus këstet e kredisë, kamatën, fitimin, e në fund edhe tatimin në fitim;

4) Për një periudhë 20 vjeçare, qytetarët do të paguajnë 5 deri në 7 miliardë euro për këtë marrëveshje;

5) Për t’ia siguruar këto të hyra Contour Globalit, Qeveria ka krijuar një kompani të re publike, New Kosovo Electricity Company, e cila do të blejë detyrimisht çdo MWh të prodhuar të Contour Globalit, pavarësisht se a kemi nevojë për të ose jo;

6) Contour Globalit i është siguruar blerja pa limit e energjisë së prodhuar, madje me çmim 20% më lartë se 80 euro për MWh për çdo MWh të prodhuar më shumë;

7) Kur të fillojë ky termocentral punën, do të mbyllet Kosova A dhe punëtorët do të mbeten pa punë;

8 ) Contour Globalit i është dhënë prioritet i shitjes së energjisë krahasuar me KEK-un ani se me çmim më të shtrenjtë, gjë që e bën TC ‘Kosova B’ prodhues që punon me gjysëm orari, si kapacitet rezervë, e kjo nënkupton edhe më shumë punëtorë që mbeten pa punë;

9) KEK-u është i obliguar që t’i sigurojë Contour Globalit hapësirat për deponim të hirit dhe gipsit, pa asnjë cent kompensim, tërësisht falas;

10) Contour Globalit ia japim 15 hektarë tokë për 10 euro gjithsej;

11) Me këtë kontratë krijohet një monopol i përkrahur nga shteti, që bie në kundërshtim me vetë Kushtetutën e vendit dhe paraqet edhe shkelje të MSA-së;

12) Janë shkelur së paku tri ligje nga kontrata me Contour Globalin: Ligji për Ndërmarrjet Publike, Ligji për ZRrE-në dhe Ligji për Prokurimin Publik;

13) Vetëm pas 20 viteve, TC ‘Kosova e Re’ do t’i bartet në pronësi Qeverisë së Kosovës.

14) Në rast të shkëputjes së kontratës para fillimit të zbatimit, Kosova ndëshkohet me 19.7 milionë euro, ndërsa po e bëri këtë Contour Globali me 8 milionë.

“Pasojat e kësaj kontrate janë afatgjate dhe të kushtueshme. Më nënshkrimin e tij, Haradinaj ka dashur të marrë vendim edhe për qeveritë e ardhshme, edhe për brezat e ardhshëm, për shkak se kur të vie koha për të paguar këto para nga buxheti, kjo qeveri do të kujtohet vetëm si një makth i dikurshëm. Le ta quajmë këtë investim me emrin e vërtetë: privatizim i egër. Pra, ky investim (kinse zhvillimor) është veçse privatizim (brutal)”, përfundon Kurti. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë