President!

Sot më 21 janar bëhen 13 vjet kur u nda nga jeta presidenti historik i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, njeriu i cili me urtësinë dhe vizionin e tij bëri të mundur atë që nga shumëkush konsiderohej e pamundur: krijimin e rrethanave gjeopoltike që do të mundësonin pavarësinë e Dardanisë antike, Kosovës së sotme dhe krijimn e shtetit të pavarur të cilën sot po e gëzon populli i shumë vuajtur i Kosovës, por me një drojë të madhe që gjithë kjo e arritur me shumë vuajtje e sakrifica po rrezikohet nga liderët e dyshimtë që në paqe e pasuan presidentin historik.

Çdo fjalë tjetër për presidentin Rugova do të ishte e tepërt, andaj në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta po e përkujtojmë me disa nga thëniet e tij:

– Viti 1912. Zgjedha otomane zë të hiqet. Këtë e bëjnë ata trima që me shekuj ndjejnë peshën e saj, peshën e saj të ndyrë shkombëtarizuese, vëllavrasëse dhe copëtuese. Edhe toka e mëmëdheut është e zgjuar. S’duron më këmbën e ndyrë poshtëruese që fikte njomësinë pa lindur fare. Bota dëgjon për këtë. Ballkani ushton. Trimat ende në të gjitha anët… Kulçedra anadollake iku njëherë e përgjithmonë pas pesë shekujsh

– Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

– Kosova është një vend shumë i vogël për t’u ndarë, por ajo ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.

– Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.

– Ne e kemi EURO-n si njesi monetare, që do të thotë shumë. Jo vetëm për faktin që stabilizon situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, por gjithashu edhe për faktin që jemi të lidhur dhe kemi akces direkt me Evropën.

– Serbia  nuk dëshiroi ta njohë vendin tonë në mënyrë paqësore, prandaj ja pse ajo deshti që të na shkatërrojë. Të gjitha përpjekjet tona për të gjetur zgjidhje paqësore ishin të pamundura. Në mënyrë që të shpëtojë civilët e pambrojtur, NATO-s iu imponua të intervenojë.

– Ndonëse Serbia luan lojën e të shqetësuarit, ajo s’ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve apo të kërkojë pronësi në to, sepse Kosova është ish – anëtare e Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë dhe jo pjesë e Serbisë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.

– Nuk mund të merrem me letërsi, kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

– Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të.

– Unë dua të theksoj faktin se pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet.

– Kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.

– Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”

– Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70 për qind të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

– Ministritë e ndryshme duhet të punojnë më shumë në promovimin e vendit, për të ndërtuar imazhin publik të Kosovës. Projekte konkrete duhet të shpalosen, në mënyrë që të aktivizoni biznesmenët tanë të kenë më shumë kontakte. Ne na duhet të krijojmë një imazh pozitiv për veten.

– Vizioni im është që vendi të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Është gjithashtu detyra jonë për ta bërë këtë, nëse dëshirojmë të krijojmë një tregti dhe një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni për të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj në të ardhmen.

– Kishim ndihmë ndërkombëtare sidomos nga BE dhe SHBA-të, të cilat na ndihmuan të dilnim nga kjo fazë e emergjencës, për t’i dhënë dinamizëm Kosovës.

– Problemet politike lidhen ngushtë me problemet ekonomike. Me ndihmën e politikës, ne do të hapim rrugën për ekonominë.

– Nga intervista dhënë ‘Der Spiegel’ më 26. Qershor 1989, përgjigjja e fundit: “Nësë Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: Kini kujdes se edhe ju jeni popull i vogël. Në të kaluarën kur një popull i vogël është përpjekur të sillet me hegjemoni në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli.”  /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë