Republika e Kosovës – çfarë do të thotë të jesh Republikë

Nga Michael O'Reilly

      Michael O’Reilly

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë sovranë dhe Republika vepron vetëm me vullnetin e popullit. Nga kjo rrjedh se të drejtat kushtetuese të qytetarit, duke përfshirë edhe integritetin territorial të shtetit, nuk mund të tregtohen ose të zbuten nga askush – madje as nga qeveria e vet. Kjo është ajo që do të thotë të jesh republikë.

Etiketa ‘republikë’ përdoret lirshëm, nga shtetet totalitare dhe republikat e vërteta njësoj. Por çfarë do të thotë të jesh Republikë? Dhe çfarë, në mënyrë specifike, do të thotë për Kosovën?

Shumica e njerëzve do të pajtoheshin që një republikë ka tre karakteristika themelore. Së pari, Qytetarët e një republike gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore që nuk mund të hiqen nga një shumicë, por në mënyrë demokratike shumica ushtron fuqinë e saj. Së dyti, një republikë kombinon idealet e lirisë dhe barazisë. Së treti, një republikë lind dhe jeton vetëm nga vullneti i popullit.

Secila prej këtyre karakteristikave paraqet sfida për qeverinë, si dhe për qytetarët. Vlen të shqyrtojmë secilën nga afër ndërsa hyjmë në një vit të rëndësishëm për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Të drejtat dhe liritë themelore: Një republikë është më shumë se një demokraci: në një republikë njerëzit janë sovranë – jo parlamenti, jo mbreti ose mbretëresha, jo presidenti apo kryeministri. Kjo ka implikime praktike. Britania e Madhe, për shembull, është një demokraci, por jo republikë: parlamenti i Westminsterit është sovran dhe mund të tërheqë të drejtat e një pakice sipas vullnetit.

Për shkak se Kosova është republikë, të drejtat që gëzojnë sipas kushtetutës rrjedhin nga nënshtetësia: ato nuk rrjedhin nga lindja ose prona, apo nga përkatësia etnike. Ato nuk janë dhënë nga një monark, një qeveri apo një fuqi e huaj. Prandaj, këto të drejta kurrë nuk mund të merren ose të hiqen pa pëlqimin e qytetarit. Çdo qytetar gëzon mbrojtje kushtetuese.

Të drejtat dhe privilegjet e bazuara në përkatësinë etnike nuk kanë vend në një republikë të formësuar. Është e diskutueshme se këto të drejta dhe privilegje shërbejnë vetëm për t’i mbajtur njerëzit të ndarë dhe për të përforcuar ndarjet. Asnjë qytetar i një republike kurrë nuk duhet të ketë mbrojtje të veçantë. Megjithatë, rrethanat e Kosovës diktojnë që mbrojtje të tilla do të mbeten pjesë e kushtetutës për disa kohë, ndoshta përgjithmonë. Ky pozicion mund të ndryshojë vetëm me pëlqimin e njerëzve të prekur drejtpërdrejt.

Prandaj, sfida është që të ndiqet në mënyrë aktive integrimi politik, institucional, kulturor, ekonomik dhe social, përtej asaj që kërkohet me ligj. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Popullsia shumicë duhet të tregojë se integrimi i plotë ka më shumë avantazhe për komunitetet pakicë sesa dallimet e ruajtura artificialisht.

Kombinimi i idealeve të lirisë dhe barazisë: Një republikë është më shumë se një demokraci liberale: në një republikë liria duhet të ushtrohet në një mënyrë që nuk ndërhyn në të mirën e përbashkët apo të drejtat e të tjerëve.

Ideali republikan është ndërtuar mbi parimin se liria është e pavlefshme nëse nuk mbështetet nga barazia. Çfarë shërben liria për një familje të dënuar prej varfërisë dhe shëndetësisë se ligë? Një shoqëri me qasje të pabarabartë në arsim, shëndetësi ose drejtësi nuk mund të përshkruhet si një shoqëri e lirë. Një republikë mbron liritë themelore që janë të nevojshme për një ekonomi të lulëzojë nëpërmjet ndërmarrësisë së lirë dhe iniciativës individuale. Por një republikë gjithashtu promovon drejtësinë demokratike dhe sociale për të gjithë qytetarët e saj.

Drejtësia demokratike për Kosovën nënkupton qeverisjen transparente dhe llogaridhënien e ekzekutivit në Kuvend.

Drejtësia sociale për Kosovën nënkupton institucionet e mbështetura me ligj, të cilat i ofrojnë çdo qytetar siguri themelore: kundër agresionit qoftë të brendshëm apo të jashtëm, por edhe arsimor, sigurinë e shëndetit dhe të punës, sigurinë e mjedisit – dhe sigurinë per te ditur se identiteti kulturor i dikujt nuk do të jetë nën kërcënim.

Prandaj, sfida për qeverinë e Kosovës është krijimi i institucioneve dhe kushteve ekonomike për drejtësinë demokratike dhe sociale, që të zërë rrënjë dhe të lulëzojë – së bashku me lirinë për të krijuar prosperitet ekonomik.  Kjo nuk mund të ndodhë pa eliminimin e korrupsionit. Sfida për popullin e Kosovës është t’i rezistojë korrupsionit në të gjitha format e saj dhe të mbështesë ligjet dhe institucionet e tyre. Një republikë nuk mund të ekzistojë pa sundimin e ligjit dhe miratimin e lirë të qytetarëve për të qeverisur me ligj.

Lindur dhe duke jetuar sipas vullnetit të popullit: Një republikë është më shumë se një shtet: është shprehje e gjallë e vullnetit të popullit. Statusi i republikës nuk mund të kushtëzohet me pëlqimin e një fuqie të brendshme ose të jashtme.

Liria e Kosovës lindi nga një revolucion në mendjet e njerëzve – para vitit 2008, para luftës së viteve 1998-1999 – kur shtypja nga një fuqi e huaj arriti një pikë ku dinjiteti njerëzor nuk mund ti bënte më ballë.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë sovranë dhe Republika vepron vetëm me vullnetin e popullit. Nga kjo rrjedh se të drejtat kushtetuese të qytetarit, duke përfshirë edhe integritetin territorial të shtetit, nuk mund të tregtohen ose të zbuten nga askush – madje as nga qeveria e vet. Kjo është ajo që do të thotë të jesh republikë.

Këto tri karakteristika të një republike tregojnë rrugën përpara për qeverinë dhe shoqërinë. Por ekziston edhe një aspekt tjetër i republikës që gjithmonë duhet të mbajmë në mend: të jetosh në një republikë do të thotë të jesh i lirë nga sundimi dhe ndërhyrja. Një person i lirë mund të shikojë të tjerët pa arsye për frikë dhe pa ndjenja të nënshtrimit. Një vend i lirë, një republikë, mundet dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe në marrëdhëniet e saj me vendet e tjera – siç më në fund Kosova, po bën tani. /©Kabllogrami/

/Michael O’Reilly është avokat irlandez dhe konsulent i politikave publike, aktualisht duke punuar si këshilltar politik në zyrën e Kryeministrit të Kosovës/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë